Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

6 tregime frymëzuese nga njerëz që kanë takuar Nënë Terezën

6 tregime frymëzuese nga njerëz që kanë takuar Nënë Terezën
September 03
16:54 2016

Ka mjaftuar një moment apo edhe një kohë e shkurtër në të cilën këta personazhe e kanë njohur Nënë Terezën sa për të thënë se shenjtorja rrezaton praninë e Perëndisë. Disa prej nesh ndoshta mund të kenë takuar dikë të shenjtë në jetën e tyre, shenjtëria e të cilit ishte e thellë dhe frymëzuese. Për këdo që ka takuar Nënë Terezën rrezatimi hyjnor ishte përtej fjalëve. Jeta e saj e thjeshtë dhe përulësia, përkushtimi i jashtëzakonshëm ndaj lutjes dhe të qenit bamirëse e bëri atë një instrument shembullor të Perëndisë. Shumë njerëz e vlerësojnë figurën e saj dhe kur ditët për shenjtërimin e saj po afroheshin u mblodhën disa dëshmi personale për t’u dërguar në Romë për kanonizimin e saj.

At Samuel Martin:

“E kam takuar Nënë Terezën në vitin 1995 në Romë, në një nga manastiret e saj. Ishim të ftuar të merrnim pjesë në një ceremoni me Misionarët e Bamirësisë dhe më vonë do të kishim mundësinë ta takonim atë nga afër. Përshtypja ime e parë ishte trupi i saj i vogël, por fill pas kësaj e dyta ishte forca e saj e jashtëzakonshme dhe vëmendja që u kushtonte të tjerëve. Përballë kisha një grua me gjallëri dhe u mahnita nga gëzimi dhe dashuria që ajo mbartte. Imagjinoni habinë tonë kur ajo ftoi 10 prej nesh, pjesë e stafit amerikan me seminaristë, të hanim mëngjes me të në një dhomë të qetë. Ajo na rrethoi me histori dhe që në fillim ishte e qartë se kjo grua ishte e shenjtë në një mënyrë që unë kurrë nuk e kisha përjetuar”.

At Paul John

“Myslimanët, të krishterët apo ata të besimit Hindu, të gjithë e konsideronin shenjtore dhe e donin bekimin e saj. Në Indi, të marrësh një bekim do të thotë që i shenjti të të prekë kokën. Turma të mëdha u mblodhën jashtë manastirit në të cilin ajo ishte duke qëndruar. Shumë njerëz e morën një bekim. Ajo i dha secilit  një medalje të mrekullueshme, pavarësisht cilit besim i përkisnin”.

Donna Marie-Cooper O’Boyle

“Duart e saj të rrudhosura, hapi i saj, më kujtohet se si prezenca e saj të jepte ndjesinë e mrekullisë sa herë kalonte. Më ka ndodhur një herë një moment ngrita sytë ta shihja dhe më befasoi gjatësia e saj. Kjo gjigante shpirtërore nuk ishte më e gjatë se vajza ime 6- vjeçare. Ajo m’u afrua dhe në krahët e mi ishte Jessica 2-vjeçare. “Ishte ky fëmijë i mrekullueshëm ai që po këndonte më parë në meshë?” Po, – iu përgjigja. Ndodhi kaq shpejt kur Nënë Tereza e Kalkutës preku vajzën time të vogël, zemra ime u ndal në atë moment. Ai ishte takimi im i parë me një shenjtore dhe më ka lënë një mesazh të paharrueshëm. Unë mendoj se, në një kuptim të caktuar, duke qëndruar pranë Nënë Terezës ishte si të kishe qëndruar pranë vetë Jezu Krishtit”.

Dëshmia nga Misionarët e Bamirësisë, ish-studente e Nënë Terezës në shkollën “Loreto”

“Isha pak nervoze pasi kisha kohë që nuk kisha qenë në qytet dhe nuk dija çfarë më priste në këtë shkollë. Të gjitha frikat e mia mblidheshin në momentin që do të takoja Nënë Terezën. Një ditë iu bashkova shkollës dhe ajo erdhi në sallon dhe më thirri në emër dhe më foli në gjuhën time. Çfarë mirëseardhjeje që më ka bërë! Me kalimin e kohës kuptova se e vlerësoja shumë si mësuese dhe si drejtoreshë”.

Susan Conroy

“Gjatë takimeve të mia të para me Nënë Terezën u mrekullova nga përulësia e saj e thellë. E dija që ajo ishte një person që e njihnin në të gjithë botën dhe kisha imagjinuar se të gjithë ata që kanë një famë të tillë mbartin një ndjenjë të madhështisë së tyre, një krenari që tregohet edhe në sjellje.  Nënë Tereza nuk kishte asnjë nga këto. Unë kurrë nuk kisha takuar dikë aq të përulur sa ajo. Përulësia e saj ishte e habitshme për mua dhe ajo kishte cilësi që rrallë herë mund t’i gjesh bashkë te një njeri. Të gjitha ato që mësova prej saj dhe rreth saj ishin të vërteta të jetës”.

Dëshmia e një prej motrave, pjesë e Misionarëve të Bamirësisë

“Nënë Tereza kishte dëgjuar se kishte shumë meshkuj që flinin rrugëve të Londrës dhe kërkoi që dikush ta çonte pranë tyre. Kështu, një natë unë dhe Ann Blaikie e shoqëruam atë.  Gjatë rrugës ajo hasi një burrë në veçanti dhe doli nga makina.  Në fillim ai nuk i dha rëndësi pranisë së saj, por kur ajo i preku duart ai ngriti sytë dhe tha: “Ka kaluar shumë kohë që kur kam ndier ngrohtësinë e dorës së një njeriu”. Ajo u kthye nga ne dhe tha: “Ky është një njeri i sëmurë, nuk mund ta lëmë”./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje