Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

5 gjërat që kuptuam për Shqipërinë dhe shqiptarët 24 orë pas rënies së tërmetit prej 5.2 ballësh!

5 gjërat që kuptuam për Shqipërinë dhe shqiptarët 24 orë pas rënies së tërmetit prej 5.2 ballësh!
July 05
09:47 2018

Nëse do të ktheheshim 24 orë më parë, me siguri do ta gjenim veten jashtë godinave, në rrugë, me frikën se mos një tjetër valë tërmeti mund të shkaktonte dëme edhe të mëdha. E kush mund të na vendosë faj për këtë? Falë Zotit, Shqipëria është një vend i bekuar përsa i përket natyrës: fenomenet shkatërruese shuuumë rrallë bëhen pjesë e jona, e mjafton kaq për të reflektuar se në fakt nuk jemi aspak të përgatitur as fizikisht por as emocionalisht për të tillë surpriza të këqija që natyra bën shpesh për të sfiduar njerzit dhe mendjemadhësinë e tyre.

Më poshtë, këtu në Blitz.al ne mblodhëm 5 gjërat që kuptuam nga tërmeti që ra në Tiranë 24 orë më parë:

1 – Frika jonë më e madhe nuk është tërmeti por siguria e ndërtesave tona

Tërmeti ndodh. Pas kësaj, nuk ke se çfarë të kesh më frikë, duhet thjesht mobilizim dhe të sillesh siç duhet në mënyrë që ky i fundit të bëjë sa më pak dëme. Ndërkohë që tërmeti ra, të gjithë ne u turrëm jashtë ndërtesave me idenë se në fakt ndërtesat tona nuk i kanë parametrat e kërkuara për të qëndruar të forta në raste të tilla. Ne e dimë mjaft mirë se ndërtuesit për kosto më të ulëta, nuk i rrespektojnë kriteret e sigurisë dhe duke qenë se nuk reagojmë për këtë sepse zakonisht nuk jemi në rrezik, ditën e djeshme pamë me sytë tanë se si indiferenca ndaj këtij fenomeni mund të të bëjë të dridhesh deri në palcë.

2 – Edukata e mobilizimit në Shqipëri është nën zero

Mungesa e shkallëve të emergjencës në godina (ose më sakt, shkallët e emergjencës janë për aparencë, për të marrë lejen e ndërtimit po janë jashtë funksionit dhe askush prej banorëve nuk mësohet se si t’i përdorë ato) solli mjaft probleme. Fluks njerzish që dilnin jashtë, pa ditur se në fakt, në raste tërmeti nuk duhet të bësh lëvizje gjatë goditjes, por duhet thjesht të mbahesh fortë tek një orendi e qëndrueshme deri në një moment të dytë kur vala e tërmetit ulet dhe për siguri duhet të zbresësh poshtë. Njësoj dhe me personat të cilët kanë qenë duke udhëtuar me makinë dhe nuk kanë ndaluar. Duhet ndaluar makina deri në momentin që tërmeti qetësohet. Këto rregulla duhet të mësohen në një kurrikul të veçantë në shkolla dhe vende pune dhe jo të anashkalohen me idenë se “në Shqipëri nuk ndodhin këto gjëra kështu që, varja”

3 – Shqiptarët kanë sens humori

Memet, batutat dhe të gjitha postimet në rrjete sociale kanë qenë epike pas tërmetit. Vetë personazhet e famshëm u angazhuan që t’i jepnin ndjekësve të tyre një të qeshur të mirë. Olti Curri tregoi se tërmeti ndodhi kur aid he Xum Allushi u përplasën në rrugë, Enca tha se tërmeti ndodhi sepse hiti i saj i ri do të lançohet, disa menduan se “toka ka tërmet” sepse erdhi Aurela Gaçe dhe sigurisht ata që kanë kënaqësi të merren me politikë dhe shpjegim se përse në Gjirin e Lalzit ishte epiqendra e tërmetit ia “ngecën” shtëpive luksoze të qeveritarëve atje. Pra le të themi se patëm një mënyrë të mirë qetësimi pas tmerrit që përjetuam ato sekonda.

4 – Edhe në raste paniku, shqiptarët e kanë mendjen të gjenerojnë para dhe klikime

Portalët “plasën” nga lajmet se do të ketë tërmete të tjera, parashikuan se sa ballë do të jenë ato dhe lajme të tjera ku hapej veçse panic. Sigurisht që klikimet e këtyre lajmeve kanë qenë në kulm duke qenë se edhe ndjeshmëria e njerzve ka qenë maksimale por nëse do t’i referoheshim rregullave të etikës së gazetarisë, kjo nuk duhet të ndodhte absolutisht. Disinformimi në të tilla raste mund të ketë pasoja fatale.

5 – Celulari mbetet pajisja më e rëndësishme e shqiptarve

Teksa dilnin prej ndërtesave ku ndodheshin, të gjithë kishin në dorë celularin. Askush nuk shpëtoi veten pa telefonin afër. Paniku më i madh u shkaktua kur linjat telefonike nuk punonin dhe ju e dini si ndodh në këto raste: duhen telefonuar fëmijët, prindërit, hallat, xhaxhallarët dhe të gjithë ata të cilët mund të kesh vite pa i parë por fakti që ra tërmet duhet të të bëjë patjetër të kujdesesh. Ndërkohë pati dhe nga ata të cilët gjatë kohës së panikut, postonin video, foto e statuse në rrjete sociale duke mos ndarë asnjë çast telefonin nga vetja.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje