Blitz

 Breaking News

400 raste të prekura me virusin e ri në Kinë, 9 viktima. OBSH gati të shpallë urgjencë ndërkombëtare

400 raste të prekura me virusin e ri në Kinë, 9 viktima. OBSH gati të shpallë urgjencë ndërkombëtare
January 22
09:45 2020

Të paktën 440 njerëz janë infektuar me një virus të ri në Kinë, ndërsa 9-të kanë ndërruar jetë, konfirmuan ditën e djeshme autoritetet në Pekin. 77 raste të reja u identifikuan vetëm të hënën sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit në shtetin aziatik.

Ky virusi i ri, i cili u shfaq për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës në muajin dhjetor, u identifikua si një lloj “Coronavirus”-i. Këto janë një familje e gjerë e viruseve, por vetëm gjashtë prej tyre dihet deri tani se infektojnë njerëzit. Autoritetet besojnë se shpërthimi i koronavirusit të ri mund të jetë përhapur në 14 provinca kineze, ashtu si edhe në shtete të tjera të Azisë si Tajvani, Filipinet, Japonia, Korea e Jugut, Tajlanda apo dhe deri në Australi.

Vlerësimet e para të shkencëtarëve thonë se virusi mund të merret vetëm nga kafshët, por nuk është përjashtuar ende as mundësia e transmetimit nga njeriu në njeri, në mënyrat e transmetimit të ftohjes së zakonshme ose gripit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) tha se do të shqyrtojë ditën e sotme shpalljen e një urgjence ndërkombëtare të shëndetit publik, për shkak të këtij virusi.

Nëse flasim për simptomat, virusi mund të shkaktojë sëmundje që nga ftohja e zakonshme(me shenja të temperaturës, lodhjes, dhimbjes së fytit dhe kollës së thatë) e deri në rastet e rënda të Sars-it. SARS – sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes – ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-2003. /Blitz.al/

Burimi: The Telegraph

Share