Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

23-vjeçari vrau me thikë të atin, ja dinamika e ngjarjes në ish-Bllok

23-vjeçari vrau me thikë të atin, ja dinamika e ngjarjes në ish-Bllok
April 05
07:53 2016

 

Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen e shënuar mbrëmjen e djeshme në rrugën “Zef Jubani”, në afërsi të shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, te pallati “Bion”, në katin e gjashtë. Pas një konflikti në familje ka gjetur vdekjen shtetasi 50-vjeçar Artur Kurti, i cili dyshohet se është qëlluar me thikë nga djali i tij 23-vjeçar Jurgen Kurti.

Bëhet e ditur se viktima ishte në proces divorci me bashkëshorten e tij dhe ishte larguar nga banesa në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Ende nuk dihen shkaqet e vizitës së papritur të tij, por në momentin kur ndodhi ngjarja, në banesë ndodhej gruaja, djali i saj dhe i vëllai.

Sipas burimeve të policisë, viktima Artur Kurti trokiti në derën e banesës teksa mbante thikën me vete dhe përpara i doli gruaja, me të cilën kishte nisur të debatonte. Pas këtij momenti, ka ndërhyrë vëllai i saj, Leonard Ristani, i cili ka mbetur i plagosur nga kunati i tij dhe më pas Jurgen Kurti, i cili dyshohet se në konflikt e sipër ka goditur me thikë babanë e tij, të cilin e ka lënë të vdekur.

Policia e Tiranës shoqëroi mbrëmjen e djeshme Jurgen Kurtin, për ta marrë në pyetje me qëllim zbardhjen e ngjarjes. Ende nuk dihet motivi pse shtetasi Artur Kurti shkoi me thikë në banesë. Nga ana tjetër, i plagosuri Leonard Ristani ka marrë përsipër përgjegjësinë vrasjes, duke thënë se reagoi për vetëmbrojtje dhe për të shpëtuar të motrën dhe nipin.

Gruaja e viktimës, e tronditur nga ngjarja e rëndë, ka kërkuar që të shohë të birin, për të besuar se i shoqi nuk e kishte vrarë.

I riu Jurgen Kurti, sikundër i ati, merrej me biznes, kryesisht me atë të pijeve alkoolike. Ai njihet si një person që i pëlqen jeta luksoze dhe makinat e shtrenjta, foto të të cilat nuk ka ngurruar t’i ndajë me miqtë në rrjetet sociale, ku ka postuar edhe foto nga vizita në vende të ndryshme në shoqërinë e të dashurës.

Etiketimet
Shperndaje