Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

15 mijë € për një vend pune, mjeku i “nxjerr të palarat” Ramës, tregon korrupsionin për çdo vend pune në QSUT

15 mijë € për një vend pune, mjeku i “nxjerr të palarat” Ramës, tregon korrupsionin për çdo vend pune në QSUT
July 10
09:38 2017

Mjeku me origjinë nga Kosova, Diamant Kuka, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Rama lidhur me korrupsionin dhe situatën që ai e cilëson skandaloze të punësimeve në QSUT dhe për korrupsionin e shërbimet që ofrohen në shëndetësi.

Kuka ka treguar eksperiencën e tij me ish-shefin e kabinetit të ministrit të Shëndetësisë Artur Lama dhe ish-ministrin Ilir Beqaj, që sipas tij i kanë kërkuar mijëra euro për ta punësuar atë, por edhe disa të njohur të tij.

Ai tregon se si Lama i ka kërkuar 15 mijë euro për një vend pune në QSUT, ofertë e refuzuar nga mjeku.

Ky denoncim vjen pas nismës së kryeministrit Rama, i cili u kërkon qytetarëve të denoncojnë rastet e korrupsionit në administratë.

LETRA E MJEKUT

z.Rama, kryeministër i Republikës së Shqipërisë,

Nisur nga nisma që keni ndërmarrë për të bërë “shtet” dhe kërkoni të denoncojmë abuzuesit zyrtarë të administratës së deritanishme, po jap eksperiencën time dhe të njerëzve të mi.

Mua m’u kërkua për një vend pune në QSUT 15 mijë euro nga ish-shefi i kabinetit (Artur Lama) të ministrit të Shëndetësisë, së bashku me kryehajdutin I. Beqaj. Kisha fut miq edhe dy deputetë të PS, që janë edhe sot të rizgjedhur dhe nuk munden t’i mbushin mendjen Ilir Beqaj se unë isha mjek i mirë (kish rastis t’u shërbeja familjarëve të këtyre deputetëve), por Beqaj donte eurot vëlla. Nuk pagova, ika, emigrova dhe tash punoj në UK.

Një kushërirës time i kërkuan euro dhe ajo i dha se ishte familjare, 15 mijë euro po nga i njëjti person (A. Lama) për të filluar punë si mjeke specialiste në një poliklinikë në Tiranë. Sot vazhdon punën, akoma s’i ka bërë lekët që ka paguar.
Një shoku im bëri ndërhyrje siç e di edhe ti si bëhen dhe e uli çmimin në 10 mijë euro, po tek i njëjti person, A. Lama, dhe sot është në punë në një poliklinikë afër Bërrylit. As ky nuk besoj se i ka bërë akoma lekët që ka paguar.

Një mjekeje tjetër iu kërkuan 25 mijë euro për t’u punësuar në një maternitet në Tiranë, nga ish-drejtuesit e maternitetit dhe ministria (Artur Lama dhe Like Beqaj), do binin dakord ata me njëri-tjetrin. Sot me sa kam informacion, nga ai maternitet kanë ikur nja 4-5 mjekë nga shteti në privat sepse është rrënuar keq fare dhe nuk fillon njeri kollaj aty po t’u japësh lekë e jo t’u kërkosh, dhe nja 4-5 mjekë po nga ai maternitet mezi po presin të ikin, janë në proces të mbrojtjes së gjuhës ose tentativa për të rregulluar një pagë të mirë në spitale private.

Një mjeke specialiste te spitali ushtarak ka paguar 8 mijë euro me ulje çmimi. E njoh mirë se e rekomandova unë, se më thanë na duhet dhe është moment me hy në punë pa lekë, e kisha gabim, i dha lekët si çeço, para të ndara nga drejtoria e spitalit me Ministrinë e Shëndetësisë.
Një mjek tjetër që do shkonte të punonte në rrethe për mungesë mjekësh specialistë i’u kërkua , nga shoku Tur Lama, gjysma e bonusit (1 milion të vjetra bruto ose diku te 80000 neto që ti nxore me VKM), dhe nuk iku fare sa të bënte parapagesë te Tur Lama, e sot punon në Gjermani.

Një infermiere për t’u punësuar në QSUT iu kërkua 5 mijë euro, e nuk mundi të paguajë dhe sot punon në një spital privat.
Ka edhe shumë e shumë raste të tjera, që ju zoti kryeministër i dini sepse ju është dërguar informacion nga të tëra rrugët e komunikimit deri me sms në celularët tuaj personalë.
Nëse në shëndetësi do vazhdojë rekrutimi i personelit me lekë e euro e nëse pagesat e personelit të mjekësisë do jenë në këtë nivel, paçka që pësoi një rritje modeste, por që nuk ka asnjë vlerë me inflacionin dhe çmimet e tregut, mjekësia ka vdekur fare dhe do e kesh të shtrirë në shtatin e vdekjes dhe për 4 vite të ardhshme, me gjithë përkushtimin e mundshëm human e profesional të bluzave të bardha që nuk mund të bëjnë më shumë se kaq.

Nëse shëndetësia nuk drejtohet nga bluza të bardha nga qendra në periferi, askujt tjetër nuk i dhimbset shëndetësia dhe kushdo që të vijë në drejtim do e ketë mendjen vetëm të vjedhë ndonjë gjë. Aman vetëm Petrelën e Rakacollin mos i vë se ikëm të tërë në Gjermani.

Koncesionet ke mundësi t’i bësh edhe dy të shpejta, laboratori që po finalizohet dhe imazheria që e ke pas në mendje.
Urgjencën prapë lëshoje me koncesion se edhe me këtë model të atij Bratit e Beqës vdes të gjallët e ngjall të vdekurit.
Suksese në jetë kryetimonier…dhe kujdes kur të zbresësh nga pushteti se te ne do vish prapë si pacient!

Timonier, mos kujto se bëj shaka, se të flas më në detaje po deshe, me emra e mbiemra, me shifra e detaje, me lidhje të nivelit të lartë…deri te njerëz shumë, shumë afër teje. Por po e lë me kaq, se po qe nevoja marr avionin e vij për 3 orë në Podgoricë, pastaj marr taksi, se në Rinas është bileta 3 fish.

* Diamant Kuka, mjek.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje