Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

1 milion € për Latifin! Gati transferimi rekord në Hungari

1 milion € për Latifin! Gati transferimi rekord në Hungari
August 14
09:10 2017

Mesfushori i talentuar me tipare sulmuese i Skënderbeut të Korçës, Liridon Latifi është drejt transferimit në kampionatin hungarez të futbollit me një shifër rekord blerjeje.

Në kushtet kur korçarët janë duke u përgatitur për ndeshjen me Dinamon e Zagrebit në play-off të Europa League, Liridon Latifi sipas “Panorama sport” ka udhëtuar drejt Hungarisë për të përmbyllur marrëveshjen.

Ai ka munguar në seancën e djeshme stërvitore të trajnerit Daja dhe shumë shpejt pritet që të konfirmohet si lojtar i Pushkash Akademi.

Ekipi i sapongjitur në elitën e futbollit hungarez po bën shpenzime të majme për të kapur majat dhe kërkon të ndërtojë ekipin rreth Latifit.

Pushkash Akademi nuk e ka pasur të vështirë të bindë Skënderbeun për të lënë të lirë lojtarin pasi kanë ofruar 1 milion euro. Mësohet gjithashtu se klubi korçar do të vijojë të zotërojë 20% të kartonit të Latifit duke shpresuar se në të ardhmen ky futbollist do të shitet akoma më shtrenjtë.

Është rënë dakord që Latifi të luajë për Skënderbeun në dy ndeshjet shumë të rëndësishme kundër Dinamos së Zagrebit dhe më pas të vijojë aventurën e tij të re. Futbollisti pasi ka mbyllur detajet e kontratës me Pushkash Akademi sot do t’i bashkohet stërvitjes me pjesën tjetër të skuadrës. /Blitz.al/

Shperndaje