Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Izet Haxhia: Sali Berisha inskenoi vrasjen e Azem Hajdarit, alibia e telefonatës dhe fshehja e tabulateve

August 16
17:29 2016

Izet Haxhia, ish-truprojë e Sali Berishës për vite me radhë, i dënuar në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, ka vendosur të ngrejë një debat (siç shprehet edhe vetë ai) lidhur me librin e De Villers, në të cilin përshkruhet se si u vra Azem Hajdari, motivi dhe autori i vrasjes, që sipas ish-truprojës së ish-kryeministrit Berisha janë të gjitha mashtrime të arritura në dakordësi mes Fatos Klosit, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe shkrimtarit francez De Villers.

Haxhia flet për ekzistencën e një kasete në gjuhën frënge, në të cilën Klosi i jep udhëzime shkrimtarit që do të shkruante librin “Shqipëria: Mision i pamundur”, një libër i porositur dhe i paguar nga ish-kreu i SHISH-it.

Bisedat rreth kasetës që zbulonte gjithçka, planifikimi një takimi mes Azem Hajdarit dhe Fatmir Haklajt (ish-shefi i komisariatit të policisë së Tropojës), frika e ish-kryeministrit Berisha dhe telefonata që nuk u krye kurrë, janë përshkruar në dy postimet më të fundit të Izet Haxhias në Facebook.

Referuar asaj që është shkruar në librin e De Villers për pseudo-motivin që e shtyu Haklajn të vriste Hajdarin, Izet Haxhia shkruan:  “Përse e vrau Fatmir Haklaj Hajdarin? Sepse kishte dorë në vrasjen e vëllait, Shkëlqimit? Nëse do të kishte qenë bash ky motivi i Fatmirit, ai nuk do të shkonte ta vriste Azemin para selisë së PD-së. Fatmiri mund t’ia kishte bërë pritën Azemit atë natë në shumë vende, rrugës për në shtëpi. Azemi nuk mund të mos e dinte nëse Fatmiri kishte shkuar për ta vrarë, kështu që nuk do të dilte nga selia, por do të njoftonte policinë. Si deputet dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes që ishte Azemi, policia ishte e detyruar të vinte ta ruante nga ata që kishin shkuar për ta vrarë. Azemi i doli para Fatmirit sepse ishte i sigurt që ai nuk do ta vriste”.

Më tej, Haxhia përshkruan skenarin e shkruar në libër, “skenar i Klosit” siç e cilëson ai. Ai tregon se nga varianti i ndryshuar i librit pas vrasjes së Hajdarit, kuptohet se ai ishte parashikuar të eliminohej, ashtu si gjithë të tjerët, si vetë Haxhia, Haklaj. Në skenarin e treguar në libër, Haklaj e vrau Azemin pasi kuptoi se ai nuk do ta ndihmonte për të çuar kasetën në Ambasadën Amerikane, kasetë që do të zbardhte të gjithë planin dredharak.

“Në të vërtetë Fatmiri nuk kishte besim te ata të ambasadës për shkak të lidhjeve që kishin me Klosin. Ai donte të gjente një lidhje direkte në Uashington që të dërgonte kasetën. Në librin e De Villers, Fatmir Haklaj bashkëpunon me një terrorist të Al –Qaeda-s, të quajtur Hasan Mohamed Al -Jafari, ish-shefi i Shërbimeve Sekrete Sudaneze, njeri i rrjetit terrorist të Bin Laden, për të cilin në libër thuhet se ngriti rrjetin e Bin Laden-it në Shqipëri. Ky Al Jafari, që në libër paraqitet sikur strehohet në Tropojë, në shtëpinë e Fatmir Haklajt, në fakt është sajuar si personazh nga De Villers mbi bazën e një personi konkret, egjiptianit Salah El -Sayed, një terrorist i rrezikshëm që erdhi në Shqipëri si një punonjës i Fondacioneve Bamirëse Arabe”, – shkruan më tej Izet Haxhia.

Ish-truproja e Berishës përshkruan më vete edhe se si ishte menduar të ekzekutohej vetë ai, një skenar që u prish prej vrasjes së Hajdarit: “Në libër, Al-Jafari bisedon me Fatmir Haklajn për atentatin, bën plan bashkë me të dhe të dy udhëzojnë Britan Maten, emri me të cilin paraqitem unë, Izet Haxhia, në libër, se ku duhet ta çojë kamionin e ngarkuar me eksploziv në Tiranë. Kur të ndodhte atentati tek Ambasada Amerikane, do të nxirrnin si prova fotot e Fatmirit dhe të miat me këtë Salah el -Sayed, t’ua jepnin amerikanëve që të dërgonin Apache për të vrarë Fatmirin, se mua do më kishin vrarë të paketuar brenda në kamionin që do shpërthente tek Ambasada Amerikane në Tiranë”.

Në vijim të rrëfimit të tij, Izet Haxhia tregon rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha në nxjerrjen e Azem Hajdarit nga selia e Partisë Demokratike. Ai tregon se takimi i Hajdarit me Haklajn e nervozoi së tepërmi Berishën, i cili e thërriti në zyrë Azem Hajdarin, me të cilin pati një bisedë të nervozuar.

“Biseda e nervozuar që ka bërë Berisha me Hajdarin në ato momente (bisedë e dëgjuar vetëm nga Linda İhsani, më vonë e vdekur në mënyrë të ”papritur ” si shumë të tjerë afër Berishës) tregon se Hajdari është urdhëruar që të dalë e të largojë ata që kishte sjellë vetë aty, pra Haklajn”, – shkruan Haxhia.

Ai akuzon Berishën për takimin vdekjeprurës të rezervuar për Azem Hajdarin, alibinë e telefonatës, e cila do ta shpëtonte Berishën nga akuza e ekzekutimit të Azem Hajdarit dhe fshehjen e tabulateve në sajë të bashkëpunimit me grupin hetimor të udhëzuar nga vetë Berisha dhe Klosi.

“Dhe Berisha, ashtu si kamerat e SHIK-ut të instaluara te zyrat e Beqirit, ndoqi “live” debatin e pastaj vrasjen e Azemit nga penxherja e zyrës së tij. Por atij, për të mbuluar të vërtetën e nxjerrjes së Hajdarit në këtë takim vdekjeprurës i duhej një alibi. Dhe si mjeshtër në krijimin e tyre u sajua alibia e një telefonate për Hajdarin nga jashtë zyrave të PD-së, që e nxori atë në atë takim”, – shkruan Haxhia. Ai tregon se për ta bërë më të besueshme këtë version të vdekjes së Hajdarit, Berisha i kërkoi këshilltarit të Azem Hajdarit, Fisnik Sinës, të deklaronte se kishte marrë një telefonatë në zyrën e Azemit për një makinë autobombë pranë PD-së. Në përfundim të postimit të tij, Haxhia shprehet se do kthehet sërish për t’u marrë me Fatos Klosin dhe kanalet e tij të tradhtisë 007.

/Blitz.al/

...

Komento