Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Ilir Meta nxjerr raportin shpjegues për “Venecian”, arsyet pse zhdekretoi 30 qershorin

Ilir Meta nxjerr raportin shpjegues për “Venecian”, arsyet pse zhdekretoi 30 qershorin
September 16
18:49 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka publikuar  sot raportin shpjegues, të cilin e ka diskutuar me Komisionin e Venecias.  Në një raport të gjatë, kreu i shtetit tregon të gjitha hapat se pse ai zgjodhi të zhdekretonte datën e zgjedhjeve lokale me 30 qershor.

Raporti 55 faqesh, i publikuar në faqen zyrtare të Presidentit thekson se zgjedhjet e zhvilluara vetëm me pjesëmarrjen e socialistëve janë të paligjshme dhe nuk krijuan alternativa për qytetarët.

Meta këmbëngul fort duke treguar se Kushtetuta thekson se Presidenti ka të drejtën ekskluzive për të caktuar datën e zhvillimit të zgjedhjeve.  Ai ndalet edhe tek klima e egër politike, e cila fillimisht nisi brenda institucioneve dhe më pas, opozita e bashkuar hoqi dorë nga mandatet duke iu rikthyer protestave në rrugë me kërkesën e vetme “largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon se presidenti i Republikës është organi i vetëm Kushtetues që ka kompetenca ekskluzive  të caktojë datën  e zhvillimit të zgjedhjeve të ligjshme shtetërore. Në zbatim të kësaj dispozite  kushtetuese, Presidenti i Republikës me dekretin  nr. 10.928 datë 05.11.2018 caktoi datën 30 qershor 2019, si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve  për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri. Palët i shprehën Presidentit të Republikës dakord sinë e tyre për një zhvillim  të zgjedhjeve vendore me 30 qershor 2019, edhe pse ndodheshin në kushte e një klime politike të polarizua politike, por gjithmonë brenda institucioneve”-thuhet mes tjerash në raport.

Mes tjerash raportit ka identifikuar 21 shkelje, problematika dhe veprime, të cilat janë ndërmarrë që nga caktimi i 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, shfuqizimi i dekretit e deri te raporti i OSBE/ODHIR për procesin e votimit. Kreu i Shtetit ndalet gjithashtu edhe tek dosjet e bujshme 184 dhe 399, të cilat ndikuan në “zhvlerësimin e përpjekjeve” të  Presidentit për vendosjen e dialogut midis partive politike.

Presidenti jep 16 arsye se pse vendosi të ndërhynte për shtyrjen e 30 qershorit, ku thotë se po synonte t’i jepej palëve kohë për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut.

Cfarë thuhet në konkluzionet e raportit:

Në kushtet e një krize të rëndë të paprecedentë politike, kushtetuese, institucionale dhe
përfaqësimi ku:
1. Palët politike u vendosën në një kurs konstant përplasjeje dhe refuzuan dialogun;
2. Opozita hoqi dorë në bllok nga mandatet parlamentare. 182 deputetë dhe kandidatë
për deputetë të opozitës u dorëhoqën dhe refuzuan në bllok mandatet parlamentare.
3. Opozita parlamentare aktuale përftoi mandatet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe
procedurave legjislative;
4. Parlamenti nuk u plotësua me numrin kushtetues të 140 deputetëve për shkak të
shterimit të listave të kandidatëve nga partitë e opozitës;
5. Parlamenti humbi rolin mbikqyrës ndaj ekzekutivit;

6. Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzojnë njohjen e autoritetit
kushtetues të Presidentit të Republikës;
7. Gjykata Kushtetuese është jo funksionale prej 18 muajsh;
8. Gjykata e Lartë është jo funksionale;
9. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh në mënyrë të njëanshme
antikushtetuese;
10. Prokuroria nuk veproi për zbardhjen e krimeve zgjedhore të konsumuara në vitet 2016
– 2017 – Dosjet 184 (Bashkia Dibër) dhe 339 (Bashkia Durrës);
11. Opozita refuzoi regjistrimin si konkurrent zgjedhor për zgjedhjet lokale;
12. Mazhoranca këmbënguli të garonte e vetme për të marrë në administrim të 61
bashkitë e vendit dhe këshillat e tyre;
13. Zhvillimi i protestave periodike kombëtare të shoqëruara me akte dhune dhe
vandalizmi si dhe reagim shproporcional nga forcat e rendit, me pasojë plagosje të
shumta nga policia e shtetit dhe qytetarët;
14. Përdorimi i gjuhës armiqësore dhe thellimi i ndasive çoi në rritjen e frustrimit
shoqëror dhe emigracionin masiv;
15. Rritja e pasigurisë ndikoi në ekonominë e vendit.
16. Refuzimi i Kryeministrit për të pranuar ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës e në
vecanti përcaktimin e një date të re gjithëpërfshirëse përvec 30 qershorit;

Presidenti i Republikës vlerësoi se duhet të ndërhynte në mënyrë të tillë që t’u ofronte palëve kohë për reflektim dhe për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut të pazëvendësueshëm politik, duke siguruar njëkohësisht moscënimin e parimeve kushtetuese të pluralizmit politik dhe kthimin e paqes sociale në vend. E gjithë sjellja e Presidentit të Republikës dhe përpjekjet e tij, duke qenë shumë i ndërgjegjshëm dhe për detyrimet që duhen përmbushur veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE, kanë synuar shmangien e një konflikti civil, të një procesi të dështuar zgjedhor dhe realizimin e zgjedhjeve vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike për të përmirësuar besueshmërinë e vendit në përmbushjen e kritereve politike në prag të 17-18 tetorit 2019, kur do të merret vendimi i Këshillit Europian për Shqipërinë./Blitz.al/

Burimi: BallkanWeb

Share