Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Foto) Bashkë për të bukurën me vlera! Promovimi më origjinal i pasurisë kulturore nga të rinjtë e LRI-së

(Foto) Bashkë për të bukurën me vlera! Promovimi më origjinal i pasurisë kulturore nga të rinjtë e LRI-së
April 19
10:06 2017

Në kuadër të 18 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve, të rinjtë e LRI-së në  Gjirokastër kanë zhvilluar disa aktivitete për të promovuar pasuritë kulturore dhe trashëgiminë. Ideja e tyre ka qenë shumë e thjeshtë: t’u tregojnë të gjithëve se të shkosh në Gjirokastër do të thotë të shkelësh në disa vende të cilat mbartin me vete histori, pasuri dhe vlera.

Ata kanë organizuar një sërë aktivitetesh, duke nisur në teatrin e qytetit antik të Adrianopolit, ku vendosën të sillnin, përmes interpretimit dhe aktrimit, tragjedinë e famshme të Sofokliut “Edipi Mbret”, si dhe monologun e famshëm të Antigonës. Veshjet ata i kanë dizenjuar vetë duke shfrytëzuar kostume të vjetra për t’iu përshtatur sa më shumë personazheve. Përveç kësaj, synimi i tyre kryesor është të sjellin sa më shumë turistë në këto pasuri kombëtare.

Aktiviteti ka vijuar dhe në dy shtëpitë muze të Gjirokastrës, atë të Zekatëve dhe Kadaresë. Në shtëpinë e Ismail Kadaresë u realizua dhe një koncert i trios së harqeve nga shkolla e muzikës “Feim Ibrahimi” me qëllim promovues të shtëpisë Kadare. Të veshur me kostume tradicionale dhe popullore, të rinjtë kanë vendosur që ta promovojnë pasurinë kulturore të Gjirokastrës në një tjetër mënyrë duke i ardhur në ndihmë edhe vetë institucionit.

Ata kanë stampuar bluza dhe 100 kartolina për secilën banesë, të dekoruara me pamjet e këtyre shtëpive, për t’u tregtuar brenda tyre për turistët që i vizitojnë monumentet. Të ardhurat e fituara nga këto shitje do të shkojnë pikërisht për rikonstruktimin apo rregullimin e ambienteve të shtëpive muze.

Në vijim gjeni disa pamje të fotografuara gjatë aktiviteteve./Blitz.al/

 

 

Shperndaje