Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndryshon afati i kohëzgjatjes së paketave, rritet kostoja e komunikimit në celular

Ndryshon afati i kohëzgjatjes së paketave, rritet kostoja e komunikimit në celular
March 31
11:28 2016

Të gjithë janë fort të lidhur me celularin e komunikimin dhe i shfrytëzojnë ofertat e kompanive telefonike deri në maksimum. Ditët e fundit tre nga kompanitë celulare më të fuqishme në Shqipëri kanë shkurtuar afatin e vlefshmërisë së paketave mujore për klientët, specifikisht kompanitë Vodafone, Telecom Albania dhe Albtelecom. Paketat mujore nuk do të jenë më të vlefshme për 30 ditë si më parë  por do të shkurtohen në 28.  Sipas komunikimeve të kompanisë përllogaritja dhe reduktimi në 28 ditë është bërë sipas përllogaritjes javore, pra 4 javë (28 ditë).

Ky njoftim nuk është bërë nëpërmjet reklamave , siç zakonisht kompanitë shesin nëpërmjet publicitetit, por klienti lajmërohet nëpërmjet mesazhit në momentin që aktivizon paketën mujore që i ofron kompania përkatëse.

Ky ndryshim nuk është mirëpritur nga abonentët pasi kjo nënkupton kosto në kurriz të tyre pasi paguajnë me të njëjtin çmim paketën, por tani me dy ditë vlefshmëri më pak. Sipas përllogaritjeve me ndryshimin e zgjatjes së paketës, abonentët paguajnë 7 % më shumë për çdo ditë në krahasim me çmimin e mëparshëm (35.7 lekë në ditë krahasuar me 33.3 lekë në ditë që ishte më parë).

Komento
Shperndaje