Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Bizneset më të suksesshme në Shqipëri që drejtohen nga femrat

Bizneset më të suksesshme në Shqipëri që drejtohen nga femrat
June 26
18:04 2016

Në botën e biznesit, femrat kanë treguar se dinë të drejtojnë njësoj ose edhe më mirë se meshkujt. Ato kanë ngritur biznese të fuqishme që ia kanë dalë mbanë edhe në kohë krizash. I referohemi këtu renditjes më të fundit të kompanive më të mëdha në vend me në krye femrat.

Referuar qarkullimit vjetor 2014, vërehet se 30% e 50 kompanive ndër 500 më të mëdhatë, janë në pronësi të femrave. Ndër to: 20 sipërmarrje janë 100% në pronësi të femrave; 176 zotërohen në mbi 50% të aksioneve dhe 14 kompani janë 30-50% në pronësi të femrave.

Sipas raportit të INSTAT,  në total 31% e ndërmarrjeve kanë pronare apo administratore femra, nga 10% që është kjo peshë për 500 sipërmarrjet më të mëdha në vend.

Ndër këto 50 kompani, mbizotëron sektori i tregtisë me pakicë e shumicë, i shërbimeve, i industrisë televizive, të ndjekura nga kompanitë e farmaceutikës, por dhe agjencitë turistike.

10 kompanitë më të mëdha me pronare femra:

1. Info-Telecom, kompani në pronësi 60% të Anisa Skëndaj me detyrë edhe administratore. E krijuar në vitin 2009, pozicionohet kompania e 13-të më e madhe në vend në renditjen totale të sipërmarrjeve më të mëdha për nga xhiro.

2. Marketing&Distribution, në pronësi të plotë të Vilma Nushit, e cila njihet si një ndër sipërmarrëset më të mira dhe me përvojë në vend. Sipas xhiros vjetore renditet sërish e dyta në 2014-2015, me një qatkullim vjetor përkatësisht 13.2 dhe 11.2 miliardë lekë.

3. Digitalb është sipërmarrja më e madhe televizive (dixhitale) në vend. Trashëgimia e themeluesit të ndjerë Dritan Hoxha po administrohet nga bashkëshortja dhe fëmijët teksa rriten. Pronësia e femrave në Digitalb është 40.8%, nga të cilat 10.19% i zotëron Redia Hoxha, ndërsa 30.6% nga kompania Lorisa, e krijuar në dhjetor 2015, aksionere të së cilës me nga një të tretën janë Lorela Hoxha; Vjollca Hoxha; Sara Hoxha, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Femrat e kësaj familje zotërojnë edhe 32% të aksioneve të televizionit “Top Channel” dhe 80% të aksioneve të sipërmarrjes së kafesë Valtelina.

4. Mira Distribution, kompani me aktivitet në tregtinë me shumicë dhe pakicë të mallrave industriale dhe bujqësore. Ardita Kastrati është aksionere 100% e kompanisë që pa një rritje të xhiros me gati 8 herë për të arritur në 4.7 miliardë lekë në vitin 2014, për tu pezulluar më pas në mes të 2015-s.

5. Rejsi Farma, kompani e njohur në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike. Merita Sheqi zotëron 50% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër zotërohet nga bashkëshorti i saj. Në 2014-n rezulton një një qarkullim prej 3.3 miliardë lekësh, ndërsa në 2015-n ajo ka humbur vendin si më e madhja në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike, duke u renditur pas Omega Pharma Group.

6. AFT, një shoqëri me aktivitet në tregtimin me shumicë, transportimin, importimin dhe eksportimin e hidrokarbureve. Ajo është 100% në pronësi të Romina Shemaj. Pavarësisht rënies të shënuar në vitet 2014-2015 krahasuar me 2013-n, ajo vijon të mbetet në top listën e kompanive më të mëdha me pronare femra.

7. DENISA, me aktivitet në tregti, është një subjekt në pronësi të shtetases Mimoza Çobo. Prej vitit të krijimit në 2005-n deri në 2014-n kompania kishte një qarkullim vjetor prej 2.1 miliardë lekësh.

8. A.K.F. Petroleum ka arritur të jetë e teta në listë pasvarësisht krijimit në 2008-n me aktivitet në tregtimin e naftës. Katër ortakët juridikë, AZ Distribution, Standart Oil, G&O Trading, Energy Trading, kanë transferuar në vitin 2015 të gjitha aksionet tek Aida Melhani, që tashmë zotëron 100% të aksioneve.

9. Donniana, kompani me në krye Donika Mici renditet e nënta. Fabrika e prodhimit të këpucëve është ndër më të mëdhatë eksportuese dhe prej disa vitesh edhe prodhuese. Në 2014-n, kompania kishte një qarkullim vjetor prej gati 2 miliardë lekësh, me rritje 33% me bazë vjetore.

10. Teuta Durrës, prej më shumë se 20 vitesh vijon aktivitetin në  fushën e importimit dhe eksportimit, paketimit, prodhimit të brumërave dhe tregtimit të artikujve ushqimorë . Ajo drejtohet nga çifti i bashkëshortëve Eleni dhe Arben Babameto, me nga 50% të aksioneve secili.

Renditja e 50 kompanive me në krye femrat

Përshtatur nga “Revista Monitor”

Komento
Shperndaje