Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

E rëndë në Durrës: Burri ther me thikë gruan, 36-vjeçarja humb jetën në spital

E rëndë në Durrës: Burri ther me thikë gruan, 36-vjeçarja humb jetën në spital
July 19
22:01 2019

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen 18 në Durrës. Burri ka qëlluar me thikë gruan e tij, 36 vjeçe duke i shkaktuar vdekjen. Ajo është dërguar me plagë të rënda në spital nga vëllezërit e saj dhe djali i tyre i mitur por nuk ka mundur të mbijetojë. Viktima sipas policisë është Asbije Kuka, 36 vjeçe. Sikurse raportoi “BalkanWeb”, mes çiftit me sa duket ka pasur një sherr dhe burri më pas e ka qëlluar me thikë.

Gruaja është dërguar në spital me plagë afër zemrës dhe hemorragji dhe me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët nuk ka mundur të mbijetojë. Policia është vënë në ndjekje të bashkëshortit të viktimës, Ardian Kuka i dyshuari kryesor i krimit.

“BalkanWeb” raporton se gruaja Asbije Kuka ka qenë me urdhër mbrojtje nga burri i saj, i cili ka ushtruar dhunë dhe herë të tjera.

Shtëpia e familjes Kuka është në zonën periferike të Durrësit, në Spitallë, në zonën kodrinore ku burri pavarësisht se duhet të qëndronte larg ka shkuar sot në drekë. Ata janë konfliktuar dhe nga të dhënat paraprake dyshohet që në shtëpi ka qenë nëna me djalin 10 vjeç. Burrë e grua kanë bërë sherr e më pas djali dëshmitar i skenës ka shkuar për të kërkuar ndihmë tek dajat. Kur kanë ardhur e kanë gjetur gruan me disa plagë me thikë, rreth 5-6, njëra pranë zemrës.

Ata e kanë dërguar menjëherë në spital, ndërsa bashkëshorti i saj që punon si shofer ishte larguar. Ai që e ka përjetuar më shumë këtë tragjedi është djali 10-vjeçar i cili ka parë gjithë skenën e sherrit në shtëpi dhe më pas nënën e mbytur në gjak. Me lotët që nuk i pushonin ai qante e bërtiste në spital duke kërkuar nënën e tij.

Më pas djali i mitur është marrë nga tezja e tij dhe është larguar nga spitali.

Mjekët kanë bërë çmos ta mbanin në jetë gruan e re por nuk ia kanë dalë për shkak se kishte humbur shumë gjak. I gjithë stafi i spitalit ka mbetur i shokuar kur ka parë plagët e shumta në trupin e gruas. Nga këqyrja paraprake, policia flet për një vrasje brutale dhe burri e ka qëlluar ballë përballë. Dyshohet se krimi ka ndodhur për motive xhelozie./Blitz.al/

Komento
Shperndaje