Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

E dinit që shumica e të punësuarve në Shqipëri janë vetëm me arsim 9 vjeçar?

E dinit që shumica e të punësuarve në Shqipëri janë vetëm me arsim 9 vjeçar?
August 13
16:19 2019

Si qëndron raporti i punësimit me nivelin e arsimimit? Shqipëria renditet e treta në vendet e Europës, për përqindjen më të lartë të të punësuarve me nivel arsimor të ulët, pra që kanë përfunduar vetëm ciklin 8/9 vjeçar.

Në vend të parë është Portugalia, ku 50% e forcës së aftë për punë, nga mosha 15 deri në 64 vjeç, është me arsim të ulët 8-9-vjeçar në vitin 2018, sipas të dhënave të Eurostat. Në vend të dytë renditet Malta, me 47.4%.

Shteti i tretë është Shqipëria. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2018, rreth 42% e forcës aktive për punë ishte me arsim 8-9-vjeçar. Me arsim të lartë është rreth 21% e forcës së punës dhe me arsim të mesëm rreth 38%.

Vendet me forcën e punës më të arsimuar në Europë sipas Eurostat janë Qipro, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Estonia, Suedia, Islanda, Belgjika, Lituania, me 35-40% të forcës së punës që ka mbaruar universitetin, ose sa gati dyfishin e peshës së Shqipërisë.

Lituania, Çekia, Zvicra, Polonia, Sllovakia janë shtetet me nivelin më të ulët të forcës së punës me arsim të ulët, me 11.7-14.4%.

Të ndara sipas gjinisë, të dhënat e INSTAT tregojnë se niveli më i lartë i të pashkolluarve është mes femrave. Gati 45% e grave të moshës 15-64 vjeç që janë aktive në tregun e punës ishin me arsim fillor, përkundrejt 39.3% tek burrat. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku diplomohen më shumë femra se meshkuj në shkencat ekzakte. Përqindja e femrave të diplomuara në shkencë, matematikë, teknologji apo inxhinieri, ishte 53.1%.

Burimi: Monitor.al

Komento
Shperndaje