Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Biografi) Kush është Fethullah Gülen, i dyshuari kryesor për organizimin e grushtit të shtetit në Turqi

(Biografi) Kush është Fethullah Gülen, i dyshuari kryesor për organizimin e grushtit të shtetit në Turqi
July 21
14:28 2016

Tentativa jo e suksesshme e të premtes së kaluar në Turqi për grusht shteti përhapi një valë të madhe “tymi e llave”, që në të vërtetë kishte kohë që vlonte poshtë sipërfaqes.

Për shumë persona në mbarë globin ishte një tentativë e dështuar për të hedhur qeverinë me dhunë, ndërsa për shumë të tjerë skeptikë të mënyrës se si rrodhën ngjarjet, thjesht një inskenim i presidentit Recep Tayyip Erdogan për të eliminuar kundërshtarët e për të fituar pushtet absolut.
Bilanci? 208 të vdekur, mbi 7500 persona të arrestuar, prej të cilëve ushtarakë, policë, gjyqtarë e civilë.

Ato që mbeten ditë pas ngjarjes janë problemet e brendshme të shtetit turk që njihen prej kohësh tashmë, si dhe ato që lidhen me marrëdhëniet e jashtme, shpesh konfliktuale, në raport me Perëndimin e jo vetëm.

Por kush qëndronte pas këtij akti tradhtie, sipas presidentit Erdogan?
Sigurisht, ishte e pritshme që gishti të drejtohej nga kundërshtari i tij kryesor, Fethullah Gulen, i cilësuar si mentori dhe aleati i tij politik deri në vitin 2013.

A ju kujtohet ky emër? Kush është Fethullah Gulen, aq shumë i përfolur këto kohë?

75-vjeçari Muhammed Fethullah Gulen, i lindur në një fshat afër qytetit Erzurum, i cili sot gjen strehim në Pensilvani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej kohësh njihet si predikues, shkrimtar dhe një figurë e fuqishme politike me një influencë të madhe në shtetin turk.

Për të përmendur ecurinë dhe ngjarjet që ndikuan më së shumti në jetën e tij…

Mësimet e para i mori në fshatin e tij të lindjes, për t’i ndërprerë pas shpërnguljes së familjes. Më vonë mori edukim islamik në disa prej medreseve të qytetit Erzurum dhe predikimin e tij të parë e dha në moshën 14-vjeçare.
Në vitin 1961 ai filloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Ankara. Më pas filloi të punonte si imam në Izmir.
Në vitin 1975, pak vite pasi ishte përfshirë në çështjen e grushtit të shtetit të vitit 1971, ai nisi një seri konferencash ku përfshinte shkencën dhe Kur’anin.

Falë fuqizimit të tij dhe influencës te shumë njerëz arriti që në vitin 1979 të themelonte “Kaynak Holding”, e përbërë nga 23 kompani në industri të ndryshme, nga teknologjia e informacionit deri te shitjet me pakicë.

Në këto vite, për të vazhduar deri sot, të frymëzuara prej tij, u hapën shumë aktivitete në mbarë botën.

Në 1982-shin u hap në Izmir shkolla e parë e frymëzuar prej Gulen, ndërsa një shkollë e tillë ndërkombëtare u hap në vitin 1992 në Azerbajxhan, për të vazhduar deri në Meksikë apo Argjentinë.
Në vitin 1994 mori pjesë në themelimin e Fondacionit të Gazetarëve e të Shkrimtarëve, duke marrë kështu titullin “President nderi”.
Për shkak të problemeve shëndetësore, në vitin 1999 Gulen udhëtoi drejt SHBA-së për të marrë një trajtim të veçantë, ndërkohë që në Turqi u hodhën dyshimet e para për të si personi që po ngrinte një organizatë jo të ligjshme për të minuar themelet laike të Republikës së Turqisë. Ai arriti të lirohej nga këto akuza në vitin 2008.

Në 2010-n ai u shpreh hapur kundër Erdogan për ndërhyrjet turke në Gaza, të pakonsultuara më parë me Izraelin. Gjithashtu është shprehur kundër ndërhyrjes së forcave turke në konfliktin civil në Siri.
Konkretisht në lidhje me këtë të fundit, u vu re se Gulen kishte të drejtë për akuzat ndaj qeverisë turke pasi një ngjarje e vitit 2014 shkaktoi skandal të madh. Disa dokumente sekrete dëshmuan se në kufirin Turqi-Siri ishin gjetur disa kamionë të mbushur me armë që i përkisnin shërbimeve inteligjente turke (MIT), për të cilët u tha se ishin ndihma të qeverisë së Erdogan për forcat opozitare në Siri. Nga krahu i vet, qeveria u mbrojt duke i hedhur poshtë këto akuza, me justifikimin se bëhej fjalë vetëm për ndihma humanitare.
Ky skandal i hapi rrugën një vale tjetër arrestimesh. U ndaluan 2 gazetarë dhe 115 policë të cilësuar si mbështetës së Gulen.

Në vitin 2013 Fethullah Gulen u fut në listën e 100 personave më me ndikim në botë.
Ai frymëzoi shumë njerëz me idetë e bindjet e veta, jo vetëm fetare por edhe intelektuale. Thuhet se sot ndjekësit e tij nëpër botë dhurojnë mesatarisht rreth 10% të të ardhurave për “Lëvizjen Guleniste”, që mendohet të jetë lëvizja që ndiqet nga shumë njerëz brenda e jashtë Turqisë, por që gjithashtu ka përkrahës gjyqtarë, prokurorë, policë e madje edhe njerëz brenda parlamentit turk.

Krahas investimeve të mëdha të konsoliduara tashmë në arsim brenda Turqisë dhe në të gjithë botën, me mbi 1000 shkolla “guleniste”, flitet se ndikimi i Fethullah Gulen kontrollon edhe gazetën “Zaman”, bankën private “Bank Asya”, televizionin “Samanyolu TV” e shumë media apo biznese te tjera, duke përfshirë këtu edhe “Turkish Confederation of Businessmen and Industrialists” (TUSKON).

Pavarësisht këtyre, kishte shumë dyshime të forta e të vazhdueshme nga Erdogan për qëllimet e Gulen kundër qeverisjes së tij, të cilat u fuqizuan pas skandalit të korrupsionit të dalë në vitin 2013, ku përveçse u arrestuan disa zyrtarë të lartë të qeverisë së atëhershme, doli në rrjetet sociale edhe një regjistrim ende i paqartë, i cili jepte presidentin Erdogan dhe persona të afërt të tij të diskutonin rreth shumave të mëdha të parave.
Kjo ishte ndodhia e fundit që i vuri kapakun marrëdhënieve Gulen-Erdogan.

Gulen dhe lëvizja e tij “guleniste” u vunë në shënjestër edhe me një vendim gjyqësor të dhjetorit të vitit 2014, ku ai cilësohet si terrorist dhe drejtues i një organizate terroriste.

Edhe pse një figurë shumë e komentuar, Gulen njihet si një person që është shprehur hapur kundër politikave të Erdoganit dhe implementimit të fesë islame deri në brendësi të formimit të shtetit. Ai prej kohësh shihet si një mysliman i moderuar që predikon bashkëbisedimet me fetë e tjera ekzistuese, por është kundër laicizmit. Gulen është më i përqendruar te shteti dhe mendon më shumë rreth ekonomisë së tregut.

Edhe pse tashmë shihet si terrorist, Gulen shprehet se një mysliman i vërtetë nuk mund të jetë terrorist e një terrorist nuk mund të jetë një mysliman i vërtetë.

Por cilat janë lidhjet e këtij personazhi me Shqipërinë?

“Ne do të vazhdojmë luftën kundër saj. Institucionet shqiptare nuk do ta tolerojnë këtë organizatë dhe aktivitetin e saj”, – u shpreh Erdogan gjatë vizitës së tij në Tiranë majin e vitit të kaluar, duke iu referuar aktivitetit arsimor dhe jo vetëm të Gulen në Shqipëri, por pa ia përmendur asnjëherë emrin, veçse duke e cilësuar si një strukturë terroriste paralele.

Në Shqipëri, aktiviteti arsimor i ngritur prej strukturave të tij daton që nga viti 1993, pas marrëveshjes së Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës së asaj kohe me fondacionin arsimor “Gulistan”, me hapjen e kolegjit “Mehmet Akif” në Tiranë. Si rrjedhojë e ecurisë së kësaj shkolle u bë e mundur hapja e kolegjit “Hasan Riza Pasha” në Shkodër dhe e kolegjit të mirënjohur “Turgut Ozal” në Tiranë e Shkodër.

Gjithashtu, në këtë fushë, krahas institucioneve të sipërpërmendura, është bërë i mundur edhe arsimi i lartë, ku si “partnerë” privatë përmendim edhe universitetin “Epoka”, si dhe universitetin “Beder”.

Krahas këtyre, thuhet se nën menaxhimin e  fondacioneve “guleniste” kemi medresetë e ndryshme në Tiranë, Elbasan, Kavajë, Korçë apo Berat.

Pra, ndikimi i  investimeve turke në Shqipëri nuk është i vogël, duke menduar fushat e arsimit, turizmit apo telekomunikacionit.
Ajo që në të vërtetë i komplikon gjërat në këtë rast është cilësimi i Fethullah Gulen si terrorist nga “vëllai” ynë Erdogan.

Sigurisht që informacioni që zotërojnë institucionet apo krerët e shtetit shqiptar janë më të mëdha se ato që mund të hamendësohen, por në një “përplasje titanësh”, ku nga njëri krah vendoset sulltani e në krahun tjetër terroristi, të nxjerrësh konkluzione të pakonfirmuara do të ishte e rrezikshme.

Është kjo një përplasje idealesh në të mirë të popullit, apo një luftë pushteti e rëndomtë me të cilën të gjithë janë mësuar?

Komento
Shperndaje